Dekoratat
Presidenti i Kosovës jep këto dekorata:
Urdhri Hero i Kosovës
Urdhri ”Hero i Kosovës” u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përmban portretin e Skënderbeut. Është punuar në ari.
Medalja e Artë e Lirisë
U jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, për kontributin e lartë në mbrojtjen e lirisë së Kosovës.
Medalja e Artë e Pavarësisë
U jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, që kanë kontribuar për Pavarësinë e Kosovës.
Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit
U jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj si dhe personaliteteve të botës shqiptare që kontribuojnë për mirëkuptim mes shqiptarëve dhe kombeve të tjera në të gjitha fushat e jetës në frymën e Lidhjes.
Dekorata Qytetar Nderi i Kosovës
U jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, si dhe shtetasve me origjinë nga Kosova, të cilët me veprat e tyre e lartësojnë dhe nderojnë Kosovën. Është e punuar në ar.(Kjo dekoratë u themelua nga Presidenti i Republikës së Kosovës më 27 nëntor 1996, kur i është dhënë Nënës Terezë).
Dekorata Crystala Dardanica
U jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj që kontribuojnë për Kosovën, si dekoratë që simbolizon pasuritë dhe bukuritë e Kosovës në kuptim të miqësisë.(Kjo dekoratë u themelua nga Presidenti i Republikës së Kosovës më 1996 dhe u është dhënë disa personaliteteve të huaja).
Medalja Humanitare Nëna Tereze
U jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që kontribuojnë në fushën e humanizmit.
Medalja Luftëtar i Lirisë Adem Jashari
U jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që kanë treguar trimëri në luftën e fundit për liri e pavarësi, si dhe për vepra të lirisë në kohë të paqes.
Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çeta
U jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për Paqen dhe Pajtimin midis njerëzve, si dhe për të drejtat e njeriut.
Medalja Artist i Merituar
U jepet personaliteteve të artit, të kulturës, për kontributin që kanë dhënë dhe japin në fushat përkatëse.
Dekorata Qytetar i Merituar i Kosovës
U jepet qytetarëve të Kosovës, që kontribuojnë në të mirë të Kosovës dhe bëjnë vepra të mira për vendin.
Medalja Presidenciale e Meritave
U jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që me punën e tyre kanë kontribuar dhe kontribuojnë për Kosovën në fusha të veçanta të jetës.
Medalja Civile për Shërbim në Kosovë
U jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që kontribuojnë në shërbimet civile të Kosovës.
Medalja Ushtarake për Shërbim në Kosovë
U jepet ushtarakëve të Kosovës e të huaj që kontribuojnë në cilësinë e aftësive ushtarake e të mbrojtjes së vendit.
Çmimi Presidencial “ E “ për Shërbim të Eksportit
U jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që kontribuojnë në eksportin e prodhimeve të Kosovës në tregun ndërkombëtar.
Çmimi Presidencial për Cilësi dhe Aftësi të Menagjimit
U jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj që tregojnë punë të lartë në drejtimin e ndërmarrjeve dhe të institucioneve të ndryshme të Kosovës.
Çmimi Presidencial për Inovime, Kërkime dhe Zhvillim
U jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që tregojnë rezultate në fusha të caktuara.
Çmimi i Presidentit për Siguri
U jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj, që kontribuojnë në fushën e mbrojtjes të sigurisë së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Çmimi i Presidencial për Studiues ( dijetarë, shkencëtarë)
U jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që tregojnë rezultate të larta në fushën e studimeve të shkencave humaniste e ekzakte.
Çmimi i Presidentit për Meritat e Ambientit
U jepet qytetarëve dhe institucioneve e ndërmarrjeve të Kosovës e të huaja që kontribuojnë në mbrojtjen, kultivimin dhe ruajtjen e ambientit.
Trofeu i Presidentit
U jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që tregojnë rezultate të larta në fushat e sporteve të ndryshme.
Çmimi Presidencial për suksese në prodhim dhe në biznes
U jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj që kanë suksese të larta në prodhim dhe në afarizëm.
Ambasador Nderi
U jepet qytetarëve të huaj dhe qytetarëve me origjinë kosovare e shtetësi të huaj, që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për interesat nacionale të Kosovës.
Ambasador i Kombit të Kosovës
U jepet personaliteteve të shquara të Kosovës, të cilët kanë merita të veçanta në lartësimin e imazhit të Kosovës në botë.
Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr.Ibrahim Rugova
“Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr.Ibrahim Rugova” u jepet qytetarëve të vendit dhe të huaj, vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit.





